Selfcare dhe e-albania ne kolaps!

Prej dy ditësh, bizneset dhe kontabilistët po përballen me probleme serioze në përdorimin e platformës SelfCare dhe shërbimeve të e-Albania. Gjatë tentativave për t’u futur në SelfCare, sistemi shfaq mesazhin “Ju lutemi kontaktoni administratorin”, duke e bërë të pamundur kryerjen e faturimeve, deklarimeve dhe aplikimeve ligjore. Paralelisht, e‑Albania funksionon me ngadalësi, gabime të shpeshta dhe ndërprerje të lidhjes.

Megjithëse AKSHI deklaron se sistemi është funksional, përdoruesit raportojnë bllokim të plotë të punës. Kontabilistët theksojnë se nuk arrijnë të nxjerrin faturat e ditës, të përgatisin dokumentet për kontrollet tatimore apo të regjistrojnë të dhënat e bizneseve, duke rrezikuar penalitete dhe vonesa ligjore. Disa prej tyre kanë paraqitur kërkesa zyrtare për zgjidhjen e problemit, por situata vijon e pandryshuar.

Sipas profesionistëve të fushës, mosfunksionimi i SelfCare ka krijuar një bllokim të rëndësishëm administrativ dhe ekonomik, duke ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin e bizneseve. Edhe individët raportojnë vështirësi në përdorimin e shërbimeve të tatimeve përmes e‑Albania. Pritshmëria e përgjithshme është për një ndërhyrje të shpejtë institucionale që të rikthejë normalitetin.

Share this content:

Post Comment