Gatishmëria për Inteligjencën Artificiale: Ku çalon Shqipëria dhe pse rajoni po na lë pas?
Në një kohë kur Inteligjenca Artificiale po transformon me shpejtësi qeverisjen dhe ekonominë globale, një raport i fundit ka ndezur një “dritë të kuqe” për pozicionin e Shqipërisë në këtë garë teknologjike.
Sipas Government AI Readiness Index nga Oxford Insights, Shqipëria renditet e 81-ta në botë, duke pasur keshtu një hendek të dukshëm jo vetëm me vendet e zhvilluara, por edhe me fqinjët tanë rajonalë.
Por çfarë do të thotë kjo renditje dhe ku ndryshon qasja jonë nga ajo e vendeve si Serbia apo Estonia?
Dy anët e medaljes: Përdorimi vs. Krijimi
Raporti nxjerr në pah një paradoks interesant për Shqipërinë. Nga njëra anë, vendi ynë ka performuar relativisht mirë në përdorimin e AI-së në sektorin publik (68.95 pikë) dhe në strukturat qeverisëse (51.67 pikë). Kjo reflekton digjitalizimin e shërbimeve publike (si e-Albania) dhe përpjekjet për të integruar teknologjinë në administratë.
Nga ana tjetër, çalojmë ndjeshëm aty ku ka më shumë rëndësi për të ardhmen:
Hartimi dhe zbatimi i politikave: Vetëm 23.00 pikë.
Zhvillimi dhe përhapja e teknologjisë: Vetëm 28.55 pikë.
Këto shifra tregojnë se ndërsa jemi konsumatorë të mirë të teknologjisë në zyrat e shtetit, na mungon vizioni strategjik dhe kapaciteti për të prodhuar apo zhvilluar vetë teknologji. Jemi ende në një fazë “embrionale”, ku iniciativat shpesh mbeten simbolike, si rasti i “Al minister” apo asistentëve digjitalë, pa një kornizë të plotë strategjike kombëtare.
Rajoni nuk pret: Shembulli i Serbisë dhe të tjerëve
Ndërsa Shqipëria është ende duke ndërtuar kornizat bazë, rajoni ka kaluar në masa konkrete. Serbia është lideri i padiskutueshëm i rajonit, duke u renditur e 39-ta në botë. Ajo ka lënë pas edhe vende të BE-së si Greqia, Kroacia apo Rumania. Sekreti? Një dekadë transformim sistematik dhe investime strategjike, përfshirë planet për një superkompjuter në vitin 2026.
Ukraina dhe Estonia po ecin me hapa galopantë përmes qendrave të ekselencës dhe partneriteteve publik-privat për të integruar AI në arsim dhe mbrojtje. Kroacia tashmë ka gati planin strategjik për periudhën 2026–2028.
Çfarë duhet të bëjmë ndryshe?
Mesazhi është i qartë: Koha e demonstrimeve simbolike ka mbaruar. Që Shqipëria të mos mbetet një “konsumatore pasive” e Inteligjencës Artificiale, duhet të kalojë nga premtimet te strategjitë e miratuara.
Duhen investime në infrastrukturën teknologjike (ku morëm vetëm 48.44 pikë), mbështetje reale për ekosistemin e startup-eve dhe, mbi të gjitha, një plan konkret veprimi që shkon përtej fasadës digjitale. Rajoni po vrapon; Shqipëria nuk ka luksin të ecë.
Share this content:














Post Comment