Mos u Mashtro! Policia e Shtetit paralajmeron rreth Whatsapp-it
Policia e Shtetit i ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në rastet kur në aplikacionin e tyre “WhatsApp” vijnë linqe të çuditshme.
NJOFTIMI I POLICISE
Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik paralajmëron qytetarët për qarkullimin e një fushate mashtruese (phishing) në platformën “WhatsApp”.
Këto mesazhe paraqiten si kërkesë për votim për çmimin e parë të një burse falas, në favor të një personi të afërt me dërguesin, i cili dyshohet se mund të ketë rënë më parë pre e këtij mashtrimi, duke sjellë më pas përhapjen e mesazhit te kontaktet e tij.
Mesazhet synojnë marrjen e kontrollit të llogarisë në aplikacionin “WhatsApp”, duke i drejtuar përdoruesit drejt faqeve të rreme dhe duke i nxitur të vendosin kode verifikimi, të cilat përdoren nga autorët për të përvetësuar llogarinë.
Si funksionon mashtrimi?
Sipas njoftimit zyrtar, përdoruesit marrin mesazhe që duken sikur vijnë nga persona të njohur (të cilëve u është hakuar llogaria më parë). Mesazhi zakonisht kërkon:
- Votim për një konkurs: Përdoruesit i kërkohet të votojë që një mik i tyre të fitojë një “bursë falas” ose një çmim tjetër.
- Klikim në një link: Linku ju dërgon në faqe të rreme që imitojnë platformat zyrtare.
- Kodin e verifikimit: Mashtruesit ju nxisin të jepni kodet e sigurisë që ju vijnë në telefon, me qëllim që të marrin kontrollin e plotë të llogarisë suaj të WhatsApp-it.
Këshillat e Policisë për t’u mbrojtur
Për të mos rënë pre e këtyre hakerave, policia u bën thirrje qytetarëve të ndjekin këto hapa:
- Mos klikoni linqe të dyshimta: Edhe nëse mesazhi vjen nga një kontakt i besuar, nëse përmbajtja duket e pazakontë, mos e hapni.
- Mos jepni kurrë kode verifikimi: Asnjë institucion apo person i besuar nuk do t’ju kërkojë kodin 6-shifror të WhatsApp-it apo fjalëkalime.
- Aktivizoni “Two-Step Verification”: Shkoni tek Settings > Account > Two-step verification në WhatsApp për të shtuar një shtresë shtesë sigurie.
- Raportoni rastin: Nëse dyshoni se jeni sulmuar, njoftoni menjëherë strukturat e Policisë së Shtetit për krimin kibernetik.
Ky apel vjen si pjesë e masave për të rritur sigurinë digjitale gjatë festave të fundvitit, kur aktiviteti i mashtruesve online priret të rritet.
Share this content:














Post Comment